Ramush Haradinaj i kundërpërgjigjet presidentit serb: Mos keni frikë Vuçiq…

LAJME


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar deklaratat e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta mbajë të varur Kosovën, atëherë ai do ta hapte rrugën për referendum për bashkimin me Shqipërinë, është shprehur se Ramush Haradinaj është njeri i rrezikshëm.

“Haradinaj është njeri i rrezikshëm dhe politikan serioz që po synon të bëhet president dhe në rast se zgjidhet me mbështetjen e Albin Kurtit, atëherë do të kishin edhe Qeverinë e Kosovës e edhe presidentin që do të pajtoheshin me bashkimin me Shqipërinë”, ka deklarua Vuçiq.

E ndaj këtyre deklaratave ka reaguar edhe Ramush Haradinaj.

“Për sa kohë i dukem i rrezikshëm Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë, jemi në rrugë të drejtë! Mos keni frikë, z. Vuçiq. Nuk keni nevojë të jeni nervoz. Kosova vetëm po e kërkon atë që i takon. Nëse ju dhe të tjerët dëshironi ta shmangni një referendum mbi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në vitin 2025, ka një mënyrë shumë të thjeshtë: Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”, ka shkruar Haradinaj, përcjellë “Bota sot”.

“Tutje, Kosova e di rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe OKB. Me retorikë histerike nuk do të na ndaloni në të drejten tonë për të definuar të ardhmen e Kosovës. Të gjithë duhet ta dinë që deklarata dhe betimi im për bashkim me Shqipërinë vjen si rezultat i neglizhencës së vazhdueshme të Brukselit në lidhje me Kosovën. Kosova dhe qytetarët e saj janë më pro-perëndimorët dhe si të tillë nuk e meritojnë të përbuzen, injorohen dhe kushtëzohen në pafundësi!”, përfundon reagimin e tij Ramush Haradinaj.